Pesë minuta në Trojë
800 L
Në sheshbetejën e asaj përplasjeje katastrofike, kisha mbetur vetëm unë, si një personazh i stisur që në lindje për të shijuar iluzionet, zemra ime e bërë copash dhe njëra nga dy anët e tua… ajo nimfa e bukur, e zgjuar dhe pasionante, me sy melankolikë, të mëdhenj, kaf, të përflakur, të dashuruar, të dëshiruar dhe shpesh të egërsuar frikshëm prej zemërimit… me ato vijëzat e holla të rrudhave që shpërthenin në sinorët elipsoidalë të tyre… me ata qerpikë lozonjarë që herë pas here mbulonin sheshpamjen si një grilë vertikale që hapej e mbyllej pa reshtur… flokët e kuq, fytyra ovale dhe hunda e harkuar bukur me flegrat e mëdha që pasqyronin dukshëm një femër pasionante… dhe ato buzë të mishta që i mbaje mbledhur teksa tregoje se nuk ishe vetëm e bukur por edhe e zgjuar. U gjendëm një ditë të dy përballë një tabloje, ku na lejohej të qëndronim vetëm pesë minuta…

