Teknologjia racizmi dhe koreania Kim
300 L
Unë mendoj se përparimi i shkencës duhet konsideruar si një autostradë ku lëvizin makina me shpejtësi të madhe… ato duhet t’i binden rregullave të qarkullimit apo jo Kim? Një qarkullim pa rregulla është sigurisht vetëvrasës.
Atë çast ajo kishte drejtuar bajamet e saj të bukura nga ai dhe po buzëqeshte.
Zhyl, ju shkrimtarëve ju duket vetja të guximshëm, por unë mendoj se ju jeni frikacakë. Në fakt përparimin e shkencës unë nuk do ta imagjinoja aspak si një autostradë me rregulla qarkullimi, por si një humnerë në të cilën do të hidhet vetëm ai që ka besim se do të fluturojë… përparimi i shkencës është luftë për liri, është luftë për të mos u varur nga koha, as nga hapësira.
Nuk është edhe një luftë që prodhon Trampin?
Në këtë pikë ajo nënqeshi, u ngrit në këmbë, vajti pranë pasqyrës dhe zuri të shihte nga afër një puçërr të vockël që i kishte dalë në ballë… ndërsa jepte e merrte me gishtat e saj ta shtypte atë kokërr orizi të panevojshme, pa e kthyer kokën nga ai i tha:
Zhyl, pse mendon se lindi kaq natyrshëm seleksioni natyral?

