Legjenda të shformuara në Qiellin e Kaosit
800 L
Kaosi të bën të ndihesh
Si një kalë pa frerë, që vrapon pyjeve të pamasë
Sipas meje ky është niveli më i lartë i lirisë, por ndërkohë edhe momenti i një fatkeqësie
Sepse momentin më të madh të lirisë mund ta sjellë vetëm një apokalips.. si filmat me zombi, ku pas apokalipsit virusal, mund të hysh në Market dhe të marrësh çfarë të të dojë zemra, madje mund të vrasësh qenie të shpërfytyruara pa u përgjigjur përpara asnjë gjykate
Por duhet të ruhesh nga zombit, sepse ata kafshojnë
Prandaj në kaos ka vetëm një rregull të madh, të padiskutueshëm, të cilin është e pamundur të mos e zbatosh.
Instikti ekstrem për të siguruar ekzistencën,
Ushqim, seks, dhe mbrojtje nga rreziku
Vrit ose do të vritesh, ushqehu ose do të vdesësh, çiftohu ose do të zhdukesh
Në qytetin e kaosit njerëzit janë bërë gati të protestojnë edhe kundër semaforëve.
Ata mendojnë se për shkak të tyre, aksidentet janë shtuar, ata mendojnë gjithashtu, se janë më të sigurtë, kur hapin sytë majtas e djathtas, se mos ka ndonjë makinë, se sa t’i besojnë një drite të gjelbër pa tru…

