Lezha – Guidë turistike
600 L
Lezha është e preferuara e shekujve, sintezë e veprës së natyrës dhe njerëzve me veçori të ndritshme të historisë dhe të artit. Lezha përfaqëson harmoninë perfekte mes burimeve antropogjene dhe natyrore. Në portat e Lezhës mund të hysh pa trokitur dhe, duke e njohur fytyrën dhe thelbin e saj, vetëm mund të magjepsesh pambarimisht. Lezha është një grishje e përhershme dhe një estetikë e gjallë e sendeve dhe qytetërimit iliro-shqiptar, një stacion diturak i mijëvjeçarëve dhe i kënaqësive të veçanta të banorëve dhe të udhëtarëve. Çdo tregim mitologjik për Lezhën i paraprin historisë së saj plot motive dhe kontraste nga më të ndryshmet. Jo më kot kronikania dhe eruditja bizantine Ana Komnena në shek. XII e quan Lezhën “një qytet të ngritur në ajër, që mund të shihet nga të gjitha anët”. Nuk është thjesht metaforë e skajshme, por vetvetiu çdo shikues mund ta vështrojë Lezhën në lartësinë e historisë së saj, në ajrin e shekujve si të dalë nga frymëmarrjet poetike të poetit Mjeda, që ka shkruar mrekullisht për Lezhën. Në Lezhë nga të katër anët të rrethojnë metaforat e historisë. Çdo njeri jeton midis tyre dhe këtu qëndron vetë sekreti i mbijetesës.

